
Pesë pronarë restorantesh e kanë pësuar rëndë nga policia, pasi janë gjobitur me nga një milion lekë të reja për organizim dasmash. Tre lokale janë gjobitur në Korçë, ndërsa dy të tjerë në Pogradec dhe në Shkodër. Policia tha se në Korçë janë kapur duke organizuar dasma dy restorante në aksin rrugor Korçë-Bilisht dhe një në lagjen nr. 1. Kurse në Shkodër, menaxherja e lokalit është proceduar penalisht sepse ka kundërshtuar dhe punonjësit e policisë në momentin e kontrollit, kur po organizohej dasma. Në momentin që kanë mbërritur forcat policore 25-vjeçarja ka mbyllur portën hyrëse duke penguar forcat e policisë të futen në ambientet e brendshme për kontroll, në kuadër të masave anticovid. Pronarët e lokaleve të dasmave ankohen se disa lejohen nga policia të punojnë, ndërsa disa të tjerë gjobiten për shkelje të rregullave.