Nuk dini si të dalloni kartmonedhat e falsifikuara? Eksperti sapo na zbuloi mënyrat për ti kuptuar lehtësisht

0

Eksperti i Bankës së Shqipërisë Aranit Bajraj ka rrëfyer për Unpublished në Euronews Albania,  si të dallojnë qytetarët kartëmonedhat e falsifikuara. Ai ka zbuluar disa prej elementëve kryesorë të sigurisë, duke nisur nga prekja te shikimi dhe lëvizja e kartmonedhës.

 “Gjëja e parë kur njerëzit bien në kontakt me një kartëmonedhë është prekja. Duhet pasur parasysh se gjatë këtij momenti materiali i pambukut ka një ndjesi krejt tjetër nga materialet drusore. Moment i rëndësishëm janë edhe elementët e printimit për njerëzit me aftësi të kufizuar. Janë dy tulbare në anë të kartëmonedhës që janë të ndjeshme gjatë prekjes”,- thotë Aranit Bajraj përgjegjës i qendrës të analizës në Bankën e Shqipërisë për Unpublished.

Elementi tjetër për të dalluar një kartëmonedhë të falsifikuar është nëpërmjet shikimit dhe eksperti i Bankës së Shqipërisë e tregon me kartëmonedhën 5 mijë lekëshe.

“Kontrolli i kartëmonedhës kundrejt dritës do të thotë që të shikohet figura, që ndodhet në pjesën e kartëmonedhës. Aty shohim portretin e Skënderbeut i shoqëruar me vlerën nominale dhe me shqiponjën. Ndërsa në kartëmonedhën e falsifikuar është e zbehtë dhe aspak e dukshëm. Gjithashtu do të shohim fillin e sigurisë që në kartëmonedhën e vërtetë është një shirit i pandërprerë i shoqëruar me simbolin e mburojës dhe shpatës e me vlerën nominale. Ndërsa te ajo e falsifikuar filli i sigurisë është i ndërprerë,”- tregon përgjegjës i qendrës të analizës në Bankën e Shqipërisë.

Ekspertët e bankës së Shqipërisë tregojnë për Unpublished se ndër vite janë përpjekur të forcojnë elementët e sigurisë për të ulur dhe mundësinë e falsifikimit.

“Karakteristika e parë e elementëve të sigurisë janë dallimet me metodën e prekjes, shikimit dhe lëvizjes së kartëmonedhës. Kjo është mundësia e parë për të dalluar nëse një kartëmonedhë është e falsifikuar apo jo. Banka e Shqipërisë është munduar që elementët e sigurisë në kartëmonedhat shqiptare të jenë lehtësisht të identifikueshme me sy të lirë. Me ndryshimet e reja në kartëmonedha është rritur shkalla e lehtësisë për kuptueshmërinë nga ana e publikut, dhe është ulur mundësia e shkallës së falsifikimit,”- shprehet Aranit Bajraj përgjegjës i qendrës të analizës në Bankën e Shqipërisë.