Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor, Rama: Reagimi i Wadephul ishte zhgënjyes

0

Në komunikimin e sotëm me mediat për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, kryeministri Rama komentoi edhe deklaratën e një dite më parë të nënkryetarit të grupit parlamentar të CDU gjermane, Johahn David Wadephul. Ai ishte shprehur se nëse do të miratohen në Parlament vendimet për të ndryshuar marrëveshjet e 5 qershorit dhe Kushtetutën, duke ndaluar formimin e koalicioneve zgjedhore nga partitë përpara zgjedhjeve, do të ishte shkelje serioze e marrëveshjeve të 5 qershorit dhe 14 janarit.

Këtë deklaratë, Rama e quajti si zhgënjyese. “Gjermania është një pikë referimi e botës, por edhe e jona. Një lokomotivë e pazëvendësueshme që tërheq me shembullin e saj Europën. Deklarimi i Wadephul ishte zhgënjyes në planin etik, i nxituar në institucional dhe i zhbalancuar në planin politik. Unë e çmoj shumë përkushtimin e tij për të ndihmuar në lehtësimin e marrëdhënieve politike në Shqipëri, respekti dhe mirënjohja ime për çdo orë dhe nuk janë pak orë që ai ka shpenzuar për Shqipërinë. Por, ai e çmon shumë marrëveshjen e 5 qershorit, por deklarimi i djeshëm nënçmon shumë parlamentin e Shqipërisë, duke e trajtuar si të ishte një noter pa të drejtë fjale e një marrëveshje, e cila duhet zbatuar”, u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi më tej se koalicionet as do të ndalohen. “Ato thjesht dhe duhet të jenë si në çdo vend të Europës, ku partitë kanë të drejtën të grupohen dhe të paraqiten me kandidatët e tyre, siç bën CDU-ja”, tha Rama.