
Pavarësisht situatës në të cilën ndodhet bujqësia në vendin tonë, ka ende fermerë që nuk duan ta lënë tokën djerr. Por ata shprehen se nuk ka asnjë siguri përsa i përket farërave të cilat nuk japin rendimentin e pritshëm. Gëzim Taka, banor i fshatit Shulbatërr në Bashkinë e Klosit thotë se 2.4 dynym tokë bujqësore të cilën po e mbjell grurë, i ka kushtuar plot 40 mijë lekë të rinj, ndërsa shpreson që prodhimi t’i mbluojë të paktën koston. Sipas Gëzimit, vitet e fundit nuk gjen garanci as në farëra pasi japin rendiment shumë të ulët në krahasim me shumë vite më parë. Po ashtu, problem sipas tij mbetet edhe kostoja e lartë e punimit të tokës dhe proceseve të tjera. Gëzim Taka kërkon nga institucionet të kontrollojnë subjektet e tregtimit të farërave, pasi në të kundërt sipërfaqja e tokës djerr, sipas tij, do të vijojë të rritet.
Vazhdimisht fermerët janë ankuar për cilësinë e farërave të cilat në shumë raste kanë rezultuar joprodhuese, duke u shkaktuar atyre një dëm të madh ekonomik.