Kriza nga Lufta në Ukrainë/ Specialistët: Lugina e Matit perfekte kultivimin e grurit

0

Gjate një vëzhgimi të bërë në luginën e Matit vihet re se ka pak parcela të mbjella me grurë. Por gruri në këto parcela është i shëndetshëm dhe pritet një prodhim i mbarë, siç merrej dikur para vieteve ‘90. Ajo që bie në sy është se në këto parcela, nuk ka asnjë bimë parazite që pengon zhvillimin e grurit. Ne kontaktuam me specialistë të fushës ku u interesuam se çfarë ka ndikuar këtë vit që prodhimi i grurit është kaq i shëndetshëm dhe pa bimë parazite. Specialistët e kontaktuar thanë se nga viti i kaluar farërat nuk kanë ndryshuar, janë po ato, por ka ndryshuar sjellja e fermerëve ndaj praktikave të punës në bujqësi, ku primare është këshillimi para mbjelljes me agronomë dhe specialistë të fushës. Këto të fundit deklarojnë se nëse me pak subvencione nga shetit, po të ishte mbjellë grurë e tërë lugina e Matit, nuk do t’ia kishim nevojën grurit që vjen nga Ukraina, ndonëse pamjet të ngjajnë me grurin e Ukrainës.
Sipas tyre, vëmendja e shtetit, por dhe e qytetarëve duhet të kthehet nga bujqësia dhe blegtoria, pasi Mati e në veçanti Lugina e Matit, ka kapacitete të mëdha prodhuese, nëse shfrytëzohet potencialisht. Kjo, pasi shumica e pamjeve që kap kamera, janë të parcelave të lëna djerrë dhe me lulëkuqe, apo të mbjella vetëm me jonxhë.
Kujtojmë se lufta ne Ukrainë ka ndikuar ndjeshëm në rritjen e çmimeve të produkteve bazë të jetesës. Çmimi i grurit, veçanërisht, është dyfishuar. Për vite me radhë një ton grurë kushtonte rreth 200 euro, ndërsa pas fillimit të luftës në fund të muajit shkurt e njëjta sasi tregtohet me 400 euro. Kjo pasi Rusia dhe Ukraina, prodhojnë së bashku rreth një të tretën e grurit që nxirret në tregun botëror, konkretisht 60 milionë nga 200 milionë tonë që eksportohen gjithsej.