
Gjykata e Dibrës ka dhënë këtë të Martë masën e sigurisë ndaj Alfred Debreshit, i dyshuari kryesor për vendosjen e lëndës plasëse në mjetin e vëllait të tij Eltonit
Gjykata vendosi si masë sigurie arrest me burg për 29 vjeçarin Alfred Debreshi.
Ngjarja ndodhi pak pas mesnate me datë 27 Gusht ku një sasi lënde plasëse shpërtheu në pjesën e parme të automjetit të Elton Debreshit, Kryetar i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës.
Nga shpërthimi pati vetëm dëme materiale, ndërsa policia doli në konkluzionin paraprak se eksplozivi ishte vendosur nga vëllai i vogël i Eltonit, Alfredi.
Dyshimet e policisë nisën pas një përgjimi ambjental të bërë ndaj dy vëllezërve pas shpërthimit të ndodhur.
Ndonëse ata kanë mohuar ta kishin planifikuar bashkë ngjarjen me qëllim përdorimin e saj për azil politik në Gjermani, pista kryesore e policisë është kjo.
Mbi 29 vjeçarin Alfred Debreshi rëndojnë tre akuza penale: “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”; “Mbajtja pa leje e lëndëve plasëse” dhe Deklarim i rremë para oficerit të policisë gjyqësore”.