Rekamë

 Policia e Fierit njofton sot se ka goditur dy raste të tjera të veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve në Lushnjë.

Gjatë operacionit të koduar “Shtegtimi”, policia ka vënë në pranga 2 persona, shpallur në kërkim një tjetër dhe sekuestruar rreth 65 kg lëndë narkotike të dyshuar kanabis sativa.

Lidhur me rastin e parë, policia thotë se pas informacioneve të marra në rrugë operative, u bë e mundur arrestimi i shtetasit N. Ç., 28 vjeç, banues në Bulqizë, ndërsa në kërkim është shpallur shtetasi B. O., 45 vjeç, banues po në Bulqizë.

Gjatë kontrollit në kushtet e flagrancës në fshatin Savër, Lushnjë, në një ambient të marrë me qira nga këta shtetas, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 65 kg kanabis sativa.

Aktualisht policia thotë se po punon për kapjen e autorit tjetër.

Lidhur me rastin e dytë, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier kanë ndaluar shtetasin E. V., 49 vjeç, banues në Fermë Çlirim, pasi është autori i dyshuar i tentativës së kultivimit të disa bimëve narkotike në fshatin Fermë Çlirim, Fier.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.