
Në muajin Mars të dy viteve më parë, menjëherë pas shfaqjes së pandemisë ku gjithçka u pezullua, pa pasoja nuk doli as sektori minerar në vendin tonë. Çmimi i ulët i tregut të mineraleve por edhe pandemia bëri që ky sektor të vihej shumë në vështirësi, çka detyroi që shumë prej biznesve të ulnin fuqinë punëtore.
Por situata mbetet prap shqetësuese në këtë sektor. Të rinjtë që e bënin këtë punë deri dy vite më parë janë larguar jashtë vendit. Subjektet mineralnxjerrëse vijojnë të kenë mungesë të fuqisë punëtore e cila tashmë është larguar.
Burime thonë se të rinjtë janë larguar drejt Gjermanisë dhe Anglisë, duke mos preferuar më që të punojnë nëntokë. E tashmë kur çmimi i kromit ka pësuar rritje në tregun ndërkombëtarë, kompanitë që e nxjerrin këtë mineral nga nëntoka e Bulqizës, por jo vetëm, po përballen me mungesë të fuqisë punëtore.
Kjo e dhënë vihet re edhe nga statistikat e zyrave të punësimit, ku numri i punëtorëve të deklaruar që punojnë në subjektet minerare po vjen çdo ditë në rënie.
Administratorët e kompanive janë vënë në kërkim të fuqisë punëtore, e cila do tju mundësonte atyre vijimin e aktivitetit ekonomik, por po gjenden përballë faktit të mungesës së krahut punëtor.