Forcat e Armatosura dhe Bashkia Mat, rehabilitojnë rrugën Shqefën – Macukull

0

Që pre datës 1 Shtator, 25 efektiv dhe 14 mjete pune të Batalionit të xhenios dhe kompanisë së punimeve xheniere, janë dislokuar në Macukull të Bashkisë Mat, në kuadër të stërvitjes “Macukulli 2020”.
Të mbështetura nga Bashkia e Matit, forcat xheniere kanë nisur punën që prej fillimit të muajit për rehabilitimin e aksit rrugor prej 9 kilometrash nga Macukulli në fshatin Shqefën.
Puna ka nisur nga fshati Macukull në drejtim të Shqefnit, ku është rehabilituar deri tani një pjesë e madhe e këtij aksi. Puna ka konsistuar në shtrimin e trasesë me zhavor në disa shtresa, hapjen e kanaleve kulluese anësore. Një mjet i bashkisë së Matit ka lagur me ujë trasenë e rehabilituar dhe më pas është përdorur mjeti tip rrul i forcave të armatosura për ta ngjeshur.
Aktualisht po punohet në fshatin Urxallë në drejtim të Shqefnit. Mjetet po bëjnë shtrimin e trasesë së rrugës, hapjen e kanaleve kulluese etj.
Stërvitja nëpërmjet rehabilitimit të këtij segmenti rrugor ju vjen në ndihmë më shumë se 600 banorëve të zonës së Macukullit duke krijuar kushte për një lëvizshmëri normale me aumjete. Stërvitja “Macukulli 2020” e forcave të armatosura që konsiston në rehabilitimin e gjithë aksit prej 9 kilometrash do të përfundojë me datë 20 Shtator.