
Kryetari i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, Elton Debreshi në një reagim për mediat, ka kërkuar zbardhjen e sa më parë të vdekjes së minatorit 35 vjeçar të shtunën e kaluar. Debreshi tha se ngjarja tragjike e Eltion Allës duhet të hetohet sa më parë nga Autoriteti Kombëtarë i Sigurisë dhe Emergjencave në Miniera dhe të ndëshkohen përgjegjësit. Sipas tij, ngjarje të tilla kalojnë pa u ndëshkuar autorët përgjegjës, ndërsa maksimumi ka procedime.
Debreshi shtoi se në miniera minatorët punojnë edhe nga dy turne, gjë e cila nuk lejohet për shkak të specifikave të vetë punës që bëjnë.
35 vjeçari Eltion Alla ishte duke punuar të shtunën në nivelin 18 të minierës së Bulqizës që menaxhohet nga Albchrome, kur është goditur nga shembja e armaturës, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.