
Shoqatat për mbrojtjen e Luginës së Drinit të Zi, në bashkëpunim me shoqërinë civile vijojnë të kundërshtojnë ndërtimin e Hidrocentralit të Skavicës në Dibër. Dhjetra banorë të Dibrës, kanë udhëtuar 70 km, drejt Skavicës për të kundërshtuar ndërtimin e digës që do të mbysë Dibrën. Banorët akuzojnë se qeveria shqiptare nuk ka bërë trasparencë, as për projektin, as për lartësinë e digës, as për pronat dhe tokat që do të përmbyten, ndërsa ka nisur punimet. Sipas banorëve në terren po punohet me ritme të shpejta, duke u kamufluar sikur po bëjnë studimin e fizibilitetit, por në fakt rrugët shkojnë në vendin ku ndërtohet diga.
Banorët dhe shoqatat lokale në mbrojtje të mjedisit vijojnë të kundërshtojnë ndërtimin e këtij hidrocentrali i planifikuar që në vitet 60. Ndërtimi i Skavicës me 485 m lartësi, fut nën ujë 16 mijë hektarë tokë dhe 35 fshatra me rreth 15 mijë banorë.