
46 raste të reja të të infektuarish me Covid-19 janë shënuar në 24 orët e fundit në Qarkun e Dibrës. Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqënies Sociale në raportimin ditor të situatës së pandemisë bëri të ditur se vetëm në Mat janë zbuluar 24 raste, numër i barabartë me një ditë më parë. Në Bulqizë u zbuluan 15 raste të reja dhe 7 raste në Dibër. Ky është numri më i lartë i infektimeve ditore në Qarkun Dibër që nga fillimi i pandemisë në muajin Mars të këtij viti. Numri total i të infektuarve aktiv në këtë qark ka kapur shifrën e 289 personave.
Numër i lartë rastesh ditore mbetet edhe ai në rang vendi ku nga 2734 testime të kryera kanë rezultuar pozitiv me Covid-19 879 qytetar. 12 qytetar nuk e fiituan dot betejën me virusin e rëndë në 24 orët e fundit, duke e çuar numrin në total të viktimave që nga fillimi i pandemisë në 989 qytetar.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u drejtohet qytetarëve të mos neglizhojnë asnjë shenjë të sëmundjes dhe të kontaktojnë me mjekun e familjes, për t’u referuar për testim, ndjekje të vazhdueshme dhe për rimbursimin e barnave të trajtimit ambulator në banesë.
Me mjekun e familjes mund të lidheni duke telefonuar linjën e gjelbër falas 0800 40 40, ose nëse keni akses në portalin e-albania.al, emri dhe numri i mjekut tuaj të familjes do tju shfaqet menjëherë sapo të logoheni aty.