Rekamë

Burreli fiton minimalisht ndaj Tërbunit, por i gëzohen tri pikëve
Ekipi matjan i futbollit fitoi këtë të shtunë përballë pukjanëve në përballen e zhvilluar në stadiumin “Liri Ballabani”. Ndeshja e kësaj të shtune ishte me dy tablo ku në pjesën e parë dominuan vendasit e në të dytën dominuan miqtë. Megjithatë ka mjaftuar një gol i matjanëve që këta të fundit të marrin tri pikë të rëndësishme. Është Stana për Burrelin që në minutën e 14 gjen rrjetën e portës mike pasi del i vetëm me portierin Austin.

I vetmi rast i kësaj pjese për vendasit u shfrytëzua saktë duke shënuar golin e vetëm të ndeshjes. Megjithatë janë miqtë që mund të kishin barazuar në minutën e 31 me Hysenin i cili nuk arrin të prekë topin pranë vijës fatale. Pjesa e parë mbyllet me këto raste ndërsa pjesa e dytë ka tjetër tablo. Miqtë janë më agresiv duke shkuar disa herë në zonën e portës matjane. në minutën e 49 është Metani i cili mund të kishte shënuar por topi grushtohet nga Bytyçi. Ky është një rast i cili u kontestua nga miqtë pasi pretenduan se topi ishte pritur brenda vijës fatale. Megjithatë për gjyqtarin kryesor Zhuli nuk ka gol. Në minutën 59 është Mersini që godet fort ndaj Bytyçit por topi grushtohet nga ky i fundit. Në minutën e 72 është Farruku i cili godet fort nga e djathta e portës mike por portieri Austin grushton topin duke shpëtuar rrjetën.

Megjithë këto raste miqtë nuk arrijnë të finalizojnë aksionet duke rritur tensionin me gjyqtarët. Për protestë ndaj tyre në minutën e 78 gjyqtari kryesor Zhuli nxjerr me karton të kuq nga pankina trajnerin e portierëve të Tërbunit Elvis Muçën. Ndërkohë trajneri Alcani fuqizoi mbrojtjen në minutat e fundit duke futur në lojë Ujkajn e Salajn. Ndërkohë miqtë edhe pse zhvilluan një volum më të madh loje me disa raste në pjesën e dytë nuk arritën të bëjnë asgjë për rezultatin i cili u vulos që në minutën e 14. Trajneri i Burrelit, Alert Alcani tha se ndeshja ishte shumë e vështirë pasi Tërbuni tregoi një epërsi gjatë pjesës së dytë nga ana fizike.

Ndërkohë trajneri i Tërbunit Oltjon Kërnaja e ka me gjykimin. Sipas tij treshja e kësaj ndeshjeje por gjykon kundër Tërbunit në të paktën tre ndeshjet e fundit.

Me tri pikët e marra sot Burreli është ngjitur në vendin e gjashtë në kuotën e 11 pikëve. Ndeshjet e tjera të luajtura sot përfunduan: Shkumbini – Egnatia 0 me 0, Dinamo – Veleçiku 1 me 1, Erzeni – Besëlidhja 1 me 0 dhe Korabi – Kastrioti 0 me 1.