Kjo është familja Muceku e cila jeton në lagjen “drita” të qytetit të Burrelit. Familja prej katër anëtarësh jeton vetëm me 4800 lekë ndihmë ekonomike në muaj, ndërsa bashkëshortët Bashkim e Vasilika Muceku janë të papunë. Por si të mos mjaftonte kjo skamje, banesa në të cilën ata jetojnë aktualisht nuk është e tyre, por e kanë me qera. Godina është gati në shembje të plotë, ndërsa funksionale ka vetëm një dhomë, por edhe aty kur ka reshje shirash, çfarë bie jashtë, bie edhe brenda. Vasilika shprehet se prej 15 vitesh ajo jeton me frikën se banesa do t’i zërë brenda. Meraku më i madh janë fëmijët, të cilët duhet t’i ruajë gjithë natën, sidomos në ditët me shi. Vasilika iu bën apel shoqatave apo instancave shtetërore ta ndihmojnë, duke iu siguruar një banesë apo punë për të. Djali i vogël i familjes, Aleksandro thotë se këto dy muaj nuk ka mundur të zhvillojë mësimin online pasi nuk ka patur telefon inteligjent dhe internet, por kërkesa e tij është një banesë si gjithë fëmijët e tjerë.