Asnjë gjurmë e 29 vjeçarit, në mbështetje të kërkimeve edhe forcat e FSK

0
996

   Kërkimet për gjetjen e 29-vjeçarit Ardit Beshiri, i cili u rrëmbye më 3 maj, bashkë me mjetin eskavator teksa po punonte në një stog minerali kromi në zonën e njohur si Qafë-Burrel të Klosit, vijojnë pa ndërprerje.

Grupeve të kërkim-shpëtimit i janë shtuar edhe ekipe nga Forcat e Sigurisë së Kosovës, të cilët kanë mbërritur këtë të mërkurë pranë vendit ku po zhvillohen kërkimet.

Deri tani mësohet se janë disa shenja rrobash që dyshohet se janë të 29-vjeçarit të zhdukur që të shtunën, dhe disa mbetje të mjetit eskavator me të cilin dyshohet se ai po punonte në momentin që u rrëmbye nga rrjedha e ujit dhe inertet si pasojë e çarjes së një prej rezervuareve të filtrimit të ujit.

Kërkimet po bëhen me mjete të rënda, si dhe me krah nga ana e ushtrisë, të shoqëruara edhe me anë të disa aparaturave që detektojnë trupa nën tokë.

Ndërkohë, burime bëjnë të ditur se në zonën ku janë gjetur rroba është vendosur perimetri i sigurisë dhe ekipi i kërkimit po bën të mundur heqjen e dheut në mënyrë të ngadaltë për të parë nëse do të jetë aty pranë edhe trupi i pajetë i 29-vjeçarit Ardit Beshiri.

Kërkimet për gjetjen e të riut pritet të vazhdojnë pa ndërprerje në të gjithë gjatësinë e luginës nga fabrika e përpunimit të mineralit të kromit e deri në pjesën fundore.

29-vjeçari Ardit Beshiri, të shtunën e 3 Majit ishte duke punuar me një mjet eskavator në një stog minerali kromi në zonën e njohur si Qafë-Burrel të Klosit, teksa një nga rezervuaret e filtrimit të ujit shpërtheu dhe e mori me vete bashkë me mjetin.