Deputeti socialist Lavdrim Krashi, në ditëlindjen e 31-të të Partisë Socialiste, kujton se themelimi i saj, erdhi si rrjedhojë e afrimit të një grupi intelektualësh nga gjithë fushat.
Në studion e lajmeve të MCN Tv, ai deklaroi se kohë të ndryshme sjellin politika të ndryshme dhe se Partia Socialiste ka influencuar opinionin publik me politikat e saj.
I pyetur nëse PS i është larguar parimeve për mbajtjen e pushtetit, referuar këtu arrestimit të ish-kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku, ai tha se partitë janë të detyruara të ndryshojnë dhe përshtaten me realitetin me atë që qytetari kërkon.
Edhe PS ka evoluar, dallimi mes partive të majta dhe djathta, është qëndrimi ndaj pronës dhe taksave. PS ka pasur identitet të cilin e ka përçuar në 30 vite, duke e përshtatur me ndryshimet e kërkuara nga elektorati, si kur ka qenë në opozitë dhe pushtet.
Përgjegjësitë janë personale, PS nuk ka zgjedhur kandidat Kajmakun, duke qenë koshiente se kanë probleme me ligjin. Njerëz që kanë probleme me ligjin për fat të keq ka shumë.
PS nuk i do këta njerëz si përfaqësues. Por çdo qytetar është i pafajshëm deri sa të gjendet fajtor.
Çdo i zgjedhur ka detyrë të bëjë vetëdeklarim, nëse ka njerëz që i fshehin këto gjëra, është fatkeqësi për qytetarët, popullin. Por çdo situatë të tillë, duhet ta përballojmë drejtpërdrejtë.
Pyetjes nëse PS dhe qeveria nuk kanë mekanizma për të mos lejuar përfshirjen në poste kaq të rëndësishme të personazheve të tillë, ai deklaroi se mekanizmi kryesor që ka PS, është reforma në drejtësi.
Pa reformën në drejtësi, do ishte e pamundur të kishim pas hekurave një ish-ministër apo ish-deputet, nuk di sa mund të jenë nga e majta apo e djathta.
Fajësinë apo pafajësinë, e përcaktojnë gjykatat dhe organet e drejtësisë. Nuk është Partia Socialiste prokurori, patjetër që ka përgjegjësi morale, është e pakëndshme kur gjëra të tilla ndodhin, përgjegjësia e secilit është personale.
Zoti Kajmaku, ka pasur problem me drejtësinë italiane dhe kur nuk ka qenë kryetar bashkie, ka qenë një person që ka pasur një histori dhe për fat të keq e vazhdon jetën e krimit, ose jetën e krimit të akuzuar.
Krashi mohoi që Partia Socialiste është kthyer në “parti e njëshit”, ku askush nuk kundërshton kryetarin Edi Rama.
Si deputet i ri nuk e ndjej që nuk kam zë për të folur nëse nuk jam dakord me diçka, kryetari i PS duhet respektuar si i tillë, por kjo s’do të thotë se funksionarë të tjerë të PS s’kanë të drejtë të flasin.
Në PS, diskutohet, debatohet. Jo çdo gjë që bëhet apo thuhet, bëhet për kryetarin e PS dhe kreun e grupit. Nuk e mendoj se PS është kthyer në funksion të njëshit, kryetarit të PS.
Më duken lojëra fjalësh, është njëlloj si të themi se gjithë Shqipëria dhe gjithë qeveria, bën çfarë thotë i pari i qeverisë. Nuk do të thotë se vetëm çfarë thotë ai bëhet.
Sa i takon komisionit të krijuar për reformën territoriale, deputeti socialist tha se është krijuar me kërkesën e opozitës dhe se kjo tregon se PS jo vetëm dëgjon kë ka brenda, por edhe opozitën.
Jam njëri prej anëtarëve të PS në komision. Personalisht me zi pres të japë kontributin tim, si njeri që kam punuar 24 vite në qeverisjen vendore, ndonëse në Britaninë e Madhe.
Do të japë të gjitha idetë dhe eksperiencën time, duke e përshtatur dhe me realitetin shqiptar. Ne kishim 366 njësi administrative, në atë kohë u mendua të kalohet me 61 njësi vendore.
Do ishte paragjykim sikur të thoshim sot se do kemi numër më të madh apo vogël. Duhet të presim termat e referencës së komisionit. Nëse do përdornim standardin britanik për krijimin e një njësie vendore, ka tre kushte kryesore, për një njësi që të quhet bashki.
Së pari duhet të ketë një universitet, katedrale, apo myftini, dhe një numër të caktuar popullsie mbi 175 mijë për zonat rurale dhe mbi 250 mijë për zonat urbane. Këto elementë janë të panegociueshëm.
Nuk po them se do aplikohet, pasi sikur të aplikonim këtë standard do përfundonim me shumë pak bashki. Duhet të dalim përtej parlamentit, duke u konsultuar edhe me shoqërinë civile.
Mund të marrim ide prej tyre edhe duke qenë në vendet ku jetojnë. Shpresoj që për zgjedhjet e ardhshme të pilotojmë disa nga idetë që mund të dalin.