E diela duhet të jetë një ditë ndryshe në qytetin e Klosit ku duhet t’i mungojë tregu tradicional. Në kuadër të masave të marra nga Ministria e Shëndetësisë dhe Vendimeve të qeverisë për ndalimin e grumbullimeve masive të njerëzve, është përfshirë edhe ndalimi i tregut të së dielës në Klos.
Për shkak se në ditën e fundit të çdo jave në Klos zhvillohet pazari i gjësë së gjallë apo ai industrial, Bashkia e Klosit apelon që në zbatim të vendimeve të marra dy ditë më parë të shmangen grumbullimet masive të qytetarëve në të njëjtin vend.
Ndalimi i grumbullimeve masive bëhet për parandalimin e përhapjes së koronavirusit që tashmë ka mbërthyer edhe vendin tonë. Instancat shtetërore këshillojnë të gjithë që të bëjnë kujdes pavarësisht nëse ende janë jashtë zonës së kuqe ku janë shfaqur rastet.
Mbrojtja më e mirë ndaj këtij virusi është qëndrimi në shtëpi, zbatimi i rregullave të higjenës dhe mbajtja e distancës sociale në çdolloj ambjenti.