Fermerët e dëmtuar nga ngricat e pak ditëve më parë në të gjithë qarkun Dibër kanë kërkuar që shteti t’ju vlerësojë dëmin. Ndërkohë, Prefekti i Qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu tha se në të katër Bashkitë e qarkut; Mat, Klos, Bulqizë e Dibër, specialistët e zyrave të bujqësisë kanë marrë kontakte me fermerët në lidhje me dëmet që u shkaktuan nga temperaturat shumë të ulta pas reshjeve të dëborës. Sipas Shehut, fermerët duhet të bëjnë sigurimin e fermave në mënyrë që në raste të tilla të mund të përfitojnë dëmshpërblim nga kompanitë e sigurimit. Prefekti Nexhbedin Shehu shtoi se një informacion mbi gjendjen i është dërguar Ministrisë së linjës në Tiranë.
Dëmet e shkaktuara nga ngrica e pak ditëve më parë janë shumë të mëdha qoftë në frutikulturë e qoftë në kultura të tjera bujqësore. Ndërkohë, skema e sigurimit të fermave mbetet e vështirë në vendin tonë, pasi kompanitë refuzojnë duke e ditur se ka risk të lartë për dëmtime.