Fshati Orzhanovë, në Njësinë Administrative Ostren në Bulqizë, është ndër fshatrat e pakët që nuk ka një rrugë automobilistike deri tek banesat. Mjetet ndalojnë në hyrje të fshatit tek varrezat, vend i cili njihet edhe si parkimi i Orzhanovës. Banorët e mbetur në këtë fshat shprehen se prej 35 vitesh, kërkesa e vetme e tyre ka qenë rruga që të ndërtohet edhe brenda fshatit. Janë vetëm 300 metra lineare rrugë e cila duhet hapur që banorët e Orzhanovës të shkojnë me automjet tek shtëpitë e tyre apo të mbartin materiale të ndryshme. Banorët thonë se deri tani kanë marrë vetëm premtime boshe dhe se askush nuk ka bërë të mundur zgjidhjen e problemit. Për mungesë të rrugës, banorët thonë se problem më madhor ka qenë e vazhdon të jetë transportimi i të sëmurëve.
Në mungesë të rrugës automobilistike, banorët e Orzhanovës thonë se ende vijojnë t’i punojnë tokat me kafshë pune, si para viteve 90-të.
Banorët e fshatit Orzhanovë, në Njësinë Administrative Ostren, në Bulqizë, i kërkojnë pushtetit vendor që të zgjidhet problemi i rrugës, pasi të rinjtë po largohen çdo ditë edhe për këtë arsye.