Firma mirëmbajtëse Ura e Matit – Rrëshen nuk duket askund, kontrata i mbaron pas një jave

0
462

  Situata në rrugën nacionale Ura e Matit  – Rrëshen vijon të mbetet e njëjtë pasi edhe pse ka një firmë mirëmbajtëse, gjendja paraqitet e degraduar. Sipas përdoruesve të kësaj rruge, Kompania “Shehu” shpk nuk duket askund për të mbushur gropat e hapura në këtë aks rrugor apo për të ndaluar dëmtimin e mëtejshëm të këmbës së urës në vendin e quajtur “Sukbull”.

Siç duket nga pamjet, vetëm disa shiritë janë vendosur mbi zgavrën e hapur në hyrjen lindore të urës dhe asgjë më shumë. Ndonëse gjendja e saj është e tillë prej kohësh, asnjë masë nuk është marrë nga kontraktori për mirëmbajtje.

Ashtu si ura që ndan Matin me Mirditën edhe kjo urë rrezikon të shembet nëse nuk ndërhyhet në kohë ku për specialistët kostoja e ndërhyrjes do të jetë shumë më e lartë se sa tani.

Drejtues të drejtorisë së mirëmbajtjes pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar i thanë “Mat Televizion” se janë marrë masa ndaj kompanisë në fjalë dhe se pas një jave rruga do t’i kalojë për mirëmbajtje një tjetër kompanie.

Po ashtu, ARRSH thotë se do t’i kërkojë kompanisë së re që do të nisë mirëmbajtjen e këtij aksi javën e ardhshme, që të bëjë ndërhyrje të menjëhershme jo vetëm tek urat që janë në rrezik, por edhe në trase dhe ta bëjë atë lehtësisht të kalueshme.