Besimtarët bektashinj në mbarë botën kremtojnë sot ditën e Sulltan Nevruzit e cila është ditëlindja e Imam Aliut në kalendarin bektashi. Besimtarët bektashi të Martaneshit u mblodhën në teqenë kryesore të zonës ku bënë ritet e nevojshme për këtë ditë. Dhjetra besimtar u lutën për më shumë harmoni e begati dhe theksuan se kjo ditë është për ringjalljen e çdo gjëje e ku lind shpresa.
Edhe në teqenë e Bllacës në Shupenzë të Bulqizës u mbajt një ceremoni për të përkujtuar këtë ditë të shënuar për të gjithë besimtarët bektashi. Besimtarët uruan njëri – tjetrin për një festë të gëzuar dhe të begatë.
Festa e Sulltan Nevruzit ka mbërritur në viset shqiptare së bashku me besimin bektashian, në shekujt XV-XVI. Në shekullin XX kjo festë është shndërruar në një manifestim kombëtar. Diktatura komuniste-ateiste në Shqipëri, në vitin 1967 i mbylli të gjitha objektet e kultit, përfshi ato të besimit bektashian.
Në Shqipëri Dita e Novruzit, u dekretua si festë kombëtare në vitin 1996. Sekti i bektashinjve është i vendosur kryesisht në jug të vendit, ndërkohë që ai ka një shtrirje të konsiderueshme në territorin e Republikës së Shqipërisë. Bektashinjtë janë të përhapur edhe në Kosovë dhe në Maqedoni, ku krahas muslimaneve suni, përbëjnë popullsinë shqiptare të besimit mysliman.