Ndryshimet e menjëhershme të motit kanë rikthyer reshjet e borës në zonat e thella të Dibrës dhe Bulqizës. Bora ka zbardhur fshatrat mbi 1000 metra mbi nivelin e detit.
Ndërkohë, sipas strukturave të mbrojtjes civile në Bashkitë Bulqizë e Dibër, deri tani nuk janë shfaqur probleme sa i përket qarkullimit të automjeteve në rrugët rurale.
Në zonat deri në 1000 metra mbi nivelin e detit ka patur reshje të dendura shiu. Gjatë orëve të mbrëmjes së të hënës temperaturat pritet të zbresin në vlera negative, ç’ka mund të sjellin edhe ngrica.
Nga ana tjetër fermerët i druhen pasojave në frutikulturë, pasi shumë pemë frutore kanë çelur ditët e fundit kur temperaturat shkuan deri në 26 gradë celsius. Pemët frutore si qershitë, kajsitë, mollët dhe dardhat mund të jenë në lulëzim ose në fazën e formimit të frutave dhe temperaturat nën zero dëmtojnë lulet dhe embrionet e fryteve, duke ulur ndjeshëm rendimentin. Edhe vreshtat janë gjithashtu të ndjeshme, pasi ngricat mund të dëmtojnë sythat e rinj dhe të ndikojnë në prodhimin e rrushit.
Ndërkohë, sinoptikanët parashikojnë që edhe në dy ditët në vijim të ketë rënie të temperaturave deri në minus 5 gradë Celsius në zonat malore, ndërsa nga e enjtja, temperaturat pritet të rriten ndjeshëm.