
Banorët e zonave rurale në Dibër po i rikthehen traditës së vjetër të mullinjve me ujë, duke ringjallur një pjesë të historisë dhe trashëgimisë së tyre. Një prej këtyre mullinjve është ai i Ilir Saraçit, 63-vjeçarit nga Bellova e Dibrës, i cili ka vendosur ta rikthejë në punë pas dekadash amortizimi.
Ky mulli është i trashëguar nga familja Saraçi për më shumë se 150 vite. Gjatë periudhës së kooperativizimit, mulliri kaloi në pronësi të shtetit dhe vetëm pas vitit 1990 u rikthye tek të zotët e tij. Pasi qëndroi i mbyllur për disa vite, Ilir Saraçi e restauroi dhe e vuri sërish në funksion për të pritur banorët që duan të bluajnë misër dhe grurë.
Sipas Ilir Saraçit, bluarja e drithërave me mullirin prej guri që funksionon me presion uji është një metodë e cila e nxjerr produktin më të pastër dhe më të shëndetshëm për konsumatorët.
Por, ndonëse tradita po rikthehet, sfidat janë të mëdha. Banorët e zonës nuk kultivojnë më aq shumë grurë apo misër si dikur, pasi rinia është larguar dhe toka nuk punohet në të njëjtat nivele. Një tjetër shqetësim mbetet dëmtimi i të mbjellave nga kafshët e egra si derri i egër dhe ariu i murrmë, të cilët zbresin nga malet dhe dëmtojnë prodhimin.
Megjithatë, ky mulli nuk është vetëm një mjet për përpunimin e drithërave, por edhe një simbol i trashëgimisë dhe identitetit të zonës. Shumë banorë e shohin atë si një mundësi për të rikthyer jetën në fshat dhe për të tërhequr turistë të interesuar për traditat lokale.
Pavarësisht sfidave, Ilir Saraçi është i vendosur ta mbajë hapur mullirin, duke e konsideruar atë një amanet të të parëve, të cilin dëshiron ta përcjellë tek brezat e ardhshëm.