
Është zhvilluar këtë të shtunë ndeshja e javës së 19 të kampionatit të kategorisë së parë në futboll, ku Burreli priti në “shtëpi” ekipin e Korabit të Dibrës, një ndeshje e konsideruar gjithmonë si derbi për shkak të rivalitetit mes dy skuadrave. Takimi nisi me eufori nga të dyja kampet të cilat kërkuan të tregojnë superioritet që në fillim të lojës ndaj kundërshtarit, por pa arritur të prodhojnë raste bindëse deri në fund të pjesës së parë. I vetmi rast i cili dhe u finalizua në këtë pjesë me gol ishte ai i minutës së 44. Kapiteni i matjanëve Stana ekzekuton bukur një goditje dënimi duke dhënë kros për kolegët e tij që ndodheshin në zonën e rreptësisë. Ndërkohë, Kastrati tregohet tepër i vëmendshëm dhe në një pozicion të vështirë me portën, dërgon topin me kokë në rrjetë.
Pjesa e parë mbyllet me këtë rezultat, ndërsa pjesa e dytë nis me presion nga miqtë dibranë, të cilët kërkonin golin e barazimit. Tentativat e tyre ishin të pasuksesshme përballë mbrojtjes së saktë të Burrelit. As pesë minutat shtesë të dhëna nga gjyqtari i katërt i takimit nuk ndryshuan asnjë në rezultat, duke u mbyllur gjithçka Burreli 1 e Korabi 0. Tri pikët e marra në këtë përballje i vlejnë shumë Burrelit i cili shkon në kuotën e 19 pikëve. Ndeshjet e tjera të luajtura këtë të shtunë përfunduan: Besa – Tomori 2 me 0, Apolonia – Luzi Vogël 1 me 0, Lushnja – Bylis 0 me 2 dhe Vora – Kastrioti 4 me 2.