Bulqizë, plagoset gjatë punës minatori 51 vjeçar

0
19

Një 51-vjeçar ka mbetur i plagosur teksa ishte duke punuar në një nga galeritë e kromit në minierën e Bulqizës. Ai është transportuar në spitalin e Bulqizës, për të marrë ndihmë mjekësore.

Policia tha se shtetasi A. K, 51 vjeç, banues në fshatin Dushaj, me profesion armator në një subjekt minerar, dyshohet se është dëmtuar gjatë procesit të punës në këtë subjekt. Për shkak të dëmtimeve, 51-vjeçari vijon të jetë në kujdesin e mjekëve.

Për rastin në fjalë, policia ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e vërteta të aksidentit.

Dëmtime të tilla janë vazhdueshme në galeritë e kromit në Bulqizë, por nuk kanë munguar as rastet me humbje jete njerëzore. Dy muaj më parë, në një nga galeritë e një subjekti minerar në Bulqizë, minatori 55-vjeçar u aksidentua në këmbë dhe u dërgua për mjekim të specializuar në Spitalin e Traumës në Tiranë. Ndërsa një muaj më parë, një tjetër minator, 50-vjeçar, teksa ka qenë në frontin e punës është goditur nga një masiv gurësh në këmbë dhe ka përfunduar në spital. Ndërsa vetëm gjashtë ditë më parë, një tjetër minator u plagos në galeritë e kromit në minierën e Bulqizës. Policia atëkohë njoftoi se shtetasi A.T, 57 vjeç, banues në Bulqizë, duke punuar në një subjekt minerar, aksidentalisht ka dëmtuar dorën.