
Gjyqtari Edvan Veçani i Gjykatës së Dibrës do të përballet të mërkurën më 26 tetor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Procesi i tij i vetingut po kryhet nga trupa e përbërë nga Valbona Sanxhaktari, Genta Tafa Bungo dhe Lulzim Hamitaj.
Edvan Veçani përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2012 dhe kreu stazhin profesional në Gjykatën e Rrethit Tiranë. Prej vitit 2013, Veçani e ushtron funksionin e gjyqtarit pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet pasurinë e deklaruar nga gjyqtari Edvan Veçani nga viti 2011 deri në fund të vitit 2018. [Kliko për skedën në PDF].

Në deklarimin për të herë të parë në vitin 2011, gjyqtari Edvan Veçani zotëronte pasuri me vlerë rreth 930 mijë lekë, ndërsa në fund të vitit 2018, pasuria familjare kap vlerën e 1 milion lekëve.
Ai zotëron familjarisht dy automjete me vlerë 1 milion lekë dhe likujditete bankare prej 177 lekësh.
Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 8.8 milionë lekë, nga të cilat 92% kanë si burim pagën e subjektit dhe gati 6% pagën e bashkëshortes.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Nga kontrolli aritmetik/logjik për 8 vite të deklarimit, asnjë prej deklaratave nuk rezultoi me probleme.
Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi si “flamur të kuq” marrjen e kredive bankare për blerjen e një apartamenti për prindërit.
Subjekti Edvan Veçani deklaron në vitin 2013 kredi bankare të marrë nga prindërit në vlerë 80,000 euro, e cila shlyhet gjithashtu nga prindërit. Ndërsa në vitin 2018 deklaron se është dorezanës në kredinë e marrë nga vëllai në vlerë 98’000 euro , kredi e cila shërben për shlyerjen e kredisë së mëparshme të prindërve dhe blerje apartamenti në vlerë 70,000 euro në emër të këtyre të fundit.