Vijon ndotja në Qaf Murrize, nga vendpushimi kthehet në pikë grumbullimi mbeturinash

0
9

Vendi i quajtur Qaf Murrize në Njësinë Administrative Xibër në Bashkinë e Klosit i cili ishte kthyer në pritës të vizitorëve ditor, vijon të ndotet nga mbetje të lëna aty po nga vetë vizitorët.

Siç duket edhe nga pamjet, kjo zonë vijon të ndotet me mbeturina që hidhen çdo ditë apo të paktën çdo fundjavë. Shumë qytetarë që vijnë nga Tirana apo zona të tjera për të kaluar fundjavën nën hijen e pemëve të kësaj zone, nuk i marrin me vete mbeturinat që pordhojnë gjatë qëndrimit aty.

Në mungesë edhe të një kontejneri, ata i hedhin pikërisht në zonë të hapur duke shkaktuar një ndotje të madhe të mjedisit, e jo vetëm kaq, por duke krijuar edhe një imazh të keq për natyrën piktoreske të Qafës së Murrizes, si një ndër pikat më të larta të Xibrit.

Është detyrë qytetare që mbeturinat që prodhohen nga vetë njeriu të hidhen në vendet e caktuara dhe të ketë një mjedis sa më të pastër. Por është vetë ai që e ndot dhe po vetë ai që ankohet se po ndotet natyra.

Zona e Qafës së Murrizit nisi të frekuentohej masivisht pas hapjes së rrugës së Arbrit, rrugë e cila krijoi akses të lehtë për vizitorët e kryeqytetit.