Këshilli i Bashkisë së Matit ka zhvilluar këtë të premte një mbledhje jashtë radhe me kërkesë të bashkisë dhe 1/3 së këshilltarëve. Në rendin e ditës ishin parashikuar 9 pika të cilat u diskutuan të gjitha. Këshilli e nisi mbledhjen me projekt-vendimin për fondin 6% të ndihmës ekonomike për muajin Maj 2022. Pas referimit të drejtorisë së shërbimit social, këshilltarët e miratuan unanimisht këtë pikë. Më pas këshilli miratoi listën e 8 familjeve që do të trajtohen nga program social i banesave sociale me qira të cilët janë rikonstruktuar pak ditë më parë. Edhe kjo pikë mori votat unanime të këshilltarëve të pranishëm në këtë mbledhje pas sqarimit të bërë nga specialistët e zyrës përkatëse. Këshilli diskutoi dhe miratoi me të 16 votat e anëtarëve të pranishëm edhe projekt-vendimin për një ndryshim në buxhetin e këtij viti. Në pikën e katërt këshilltarët e pranishëm u njohën me raportin përfundimtar për Auditimin Financiar në Bashkinë Mat. Pika e pestë e rendit të ditës kishte të bënte me dhënien në përdorim të sipërfaqeve të fondit pyjor-kollusor në pronësi të Bashkisë Mat, subjekteve të pajisura me leje/liçencë për ndërtimin e veprave hidroteknike për HEC-e. Kjo ishte një tjetër pikë që mori debate dhe në fund u miratua me 12 vota pro, tre kundër dhe 1 abstenim. Në pikën e gjashtë këshilltarët e pranishëm miratuan projekt-vendimin për krijimin, organizimin dhe funksionimin e shërbimit vullnetar në Bashkinë Mat në mbrojtjen nga zjarret në pyje. Edhe pikat pasardhëse gjetën miratim nga këshilltarët e pranishëm në mbledhjen e kësaj të premteje.