Dhoma e Avokatisë Dibër i është bashkuar vendimit për vijimin e bojkotit të seancave gjyqësore të përfaqësuara me avokat. Vendimi në fakt është marrë sot nga Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë në një mbledhje të zhvilluar nga kryesia e saj.
I kontaktuar nga Mat Televizion, kryetari i Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë, Dega Dibër, Ismail Uka tha se vendimi është kolegjial dhe se në vijim do të veprohet sipas asaj që është vendosur nga kryesia.
Sipas Ukës, asnjë nga avokatët që është pjesë e DHASH nuk duhet të paraqitet të paktën për dhjetë ditët në vijim as në seancat e masave të sigurisë, ndërsa për çështjet e tjera, bojkoti është pa afatë.
Harta e re gjyqësore e miratuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor do të shkurtojë gjykatat e shkallës së parë në të gjitha rrethet e vendit, duke i përqendruar ato vetëm në qendër të qarqeve. Po ashtu, në të gjithë vendin pritet të jenë vetëm 2 gjykata administrative dhe 1 gjykatë apeli.
Gjykata dhe Prokuria e Shkallës së parë në Mat, me hartën e re gjyqësore i bashkohen gjykatës së Dibrës, ndërsa kjo është kundërshtuar nga avokatët dhe qytetarët pasi rrit kostot për të patur akses në sistemin e drejtësisë në vendin tonë.