
Mungesa e specialistëve në fusha të ndryshme ka rritur nevojën e institucioneve të ndryshme për punonjës të specializuar. Në të njëjtën situatë gjenden edhe ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve në vendin tonë. Prej ditës së sotme në Bulqizë ka nisur një kurs tre mujor për përgatitjen të çertifikuar të specialistëve hidraulik. Drejtori i Ndërmarrjes së Ujësjellës – Kanalizimeve në Bashkinë e Bulqizës, Asllan Daxha tha se ky kurs do të shërbejë për rritjen e kapaciteteve profesionale në stafin e ndërmarrjes për ata që punojnë aktualisht, ndërsa të tjerët do të jenë kandidat për tu punësuar pas çertifikimit. Daxha shtoi se ky trajnim po bëhet nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave, Zyra e Punës dhe UK Bulqizë.
Personat që janë bërë pjesë e këtij trajnimi janë nga të gjitha njësitë administrative të Bashkisë Bulqizë, për të bërë të mundur që në çdo njësi të ketë një specialist të çertifikuar për rrjetin e ujit të pijshëm.