Prej tre ditësh rruga e fshatrave Xibër – Hane e Ketë në Njësinë Administrative Xibër në Bashkinë e Klosit është pothuajse e pakalueshme. Shkak është bërë prezenca e madhe e akullit i cili ka mbuluar gjithçka.
Kalimi i mjeteve në këtë rrugë mund të bëhet vetëm me anë të zinxhirëve, pasi është e pamundur sepse trashësia e akullit është e madhe dhe ka mbuluar gjithë karrexhatën.
Qindra banorë të këtyre dy fshatrave janë pothuajse të izoluar për shkak se temperaturat kanë zbritur disa gradë nën zero.
Vetëm këtë të Hënë Bashkia e Klosit ka nisur hedhjen e skorjes dhe këtë e ka bërë vetëm në rrugën kryesore të kësaj njësie administrative. Siç shihet nga pamjet, skorja është lënë grumbull në pikat problematike ndërsa më pas do të shpërndahet nga punëtorët e mirëmbajtjes.
Ndërkohë ditën e Martë pritet që bashkia e Kolosit të dërgojë kripë dhe skorie edhe në rrugën e fshatrave Xibër – Hane dhe Ketë për të mundësuar qarkullimin normal të automjeteve.