Autori matjan Ermal Lala vjen me romanin e tij më fundit të titulluar “Purple”

0
16

Shkrimtari matjan Ermal Lala vjen para lexuesve me veprën e tij të tretë letrare, romanin “Purple”. Më parë ai është prezantuar para lexuesve me vëllimin poetik “Kënga e reve të bardha”, në vitin 2013 dhe në vitin 2019 me “Melodia e valës së kaltër”, prozë dhe poezi.

Libri i fundëm i Lalës bëri jehonë në botën letrare, aq sa edhe platforma më e madhe online e librit shqip, Bukinist.al e ka përzgjedhur romanin “Purple” të autorit matjan Ermal Lala ndër 11 librat e përzgjedhur për lexuesit gjatë 365 ditëve në vijim, si prurjet më të reja të autorëve që janë në fazat e para të komunikimit me lexuesit.

Romani “Purple” e merr subjektin nga realizimi i një ëndrre rinore e një studenteje të diplomuar në degën e Gazetarisë, Anita Grori, por me aspirata të mëdha, duke dalë nga koncepti i ëndrrës në sirtar. Por shuë shpejt kjo ëndërr do të ndiqet nga plane djallëzore e vrastare, duke e mbajtur pezull fatin e personazheve me intriga të stisura prej letrash, të cilat priten të zbulohen nga lexuesi. “Purple”, thotë redaktorja e librit, ngrihet mbi binomi e krimit dhe vrullit të pasionit që prodhojnë dramaticitet dhe dinamizëm në strukturën e tij tekstore. Studiuesja Ulpiana Bido thotë se Romani “Purple” i Ermal Lalës është një roman që, që nga titulli të fut në mendime dhe të mban mbërthyer faqe pas faqeje. Ngjarjet janë të vendosura në një mjedis tipik shqiptar, ashtu sikurse edhe personazhet që karakterizojnë romanin mund t’i kemi çdo ditë pjesë të së përditshmes sonë.  Ndërsa për kritiken letrare Dhimitrula Lapi, autori i “Purple: vjen me një roman koherent e të lexueshëm për çdo lloj moshe dhe tip lexuesi. Mjafton të lexosh faqet e para dhe romani të fut në “grackën” e tij, të mbërthen. Shkrimtari Ermal Lala është lindur në fshatin Gjoçaj të Matit, në vitin 1992, ndërsa është diplomuar në master të Bioteknologjisë “Molekulare dhe Industriale” si dhe ka mbrojtur titullin Master i Shkencave në fushën e mësimdhënies në Biologji. Me librin e tretë të sapohedhur në qarkullim Ermal Lala nis e zë vend denjësisht në radhën e autorëve matjanë të kohës.