Tërbuni i rrëmben një pikë Burrelit, ekipet shënojnë nga një gol

0
8

Ekipi i Burrelit e ka nisur fazën e dytë të këtij sezoni me barazim duke mos arritur që të marrë tri pikë në shtëpinë e tij përballë pukjanëve të Tërbunit. Pjesa e parë e kësaj ndeshjeje foli për miqtë të cilët rrezikuan seriozisht portën matjane. Rasti më i pastër për miqtë në këtë pjesë erdhi në minutën e 27 kur Jurgen Peqini godet saktë drejt portës, ndërsa topi ndalet nga portiere Igli Koca. Matjanët nuk mundën të rrezikojnë në asnjë rast me Çemën dhe Daijan që ishin vendosur në vijën e parë të sulmit. Ndërkohë, Kujtim Alcani luajti vetëm 7 minuta për shkak të një dëmtimi që pësoi në fushën e lojës. Ndërrimet e bëra në pjesën e dytë nga trajneri Alert Alcani përmirësuan performancën e lojës. Në minutën e 52 është Daija që provon me kokë, por portieri Kuka është tejet i vëmendshëm. Megjithatë miqtë vijojnë tentativat për të gjetur rrjetën e portës vendase. Është Jurgen Peqini i cili kalon të tijët në avantazh pasi merr një pasim nga Hyso dhe godet saktë në ballore duke tundur rrjetën e portës matjane.

Por futja në lojë e Olivieras, Dedgjonajt, Stanës dhe Kryemadhit ndryshoi panoramën e lojës. Në minutën e 67 është braziliani Oliviera që godet fort drejt portës së Kukës por ky i fundit pret saktë topin. Tre minuta para se të mbyllej loja, Oliviera pason saktë Hasën i cili godet në shenjë dhe barazon shifrat në një me një.

 3 minutat e mbetura dhe ato 5 shtesë të dhëna nga gjyqtarët nuk ndryshuan asgjë, duke u mbyllur gjithçka Burreli 1 e Tërbuni 1.

Trajneri i Burrelit, Alert Alcani tha se barazimi ishte rezultat i drejtë pasi loja u zhvillua e barabartë.

Ndërkohë trajneri i Tërbunit Elvin Beqiri tha se të tijët mund të kishin bërë më shumë, megjithatë janë në rrugën e duhur.