Dhurata Çupi: Rruga e Arbrit mbyllet me polici 2 muaj pas inaugurimit

0
9

Deputetja e Partisë Demokratike në Dibrës, Dhurata Çupi deklaroi sot se Rruga e Arbrit u mbyll me polici 2 muaj pas inaugurimit.

Çupi publikoi pamje nga rruga e bllokuar, ndërsa hodhi akuza se rruga u hap për propagandë.

“Rruga e Arbrit, e inauguruar me pompozitet nga kryeministri 2 muaj më parë, ka dalë sot jashtë funksionit nga bora. E kam denoncuar edhe më herët, që rruga u hap për propagandë. Në të vërtetë ajo është e pa mbaruar, prandaj sot shikohet si rrezik për qytetarët dhe bllokohet kalimi me polici si në shtetrrethim”, tha Çupi.

Sipas saj, mashtrimi i shqiptarëve dhe i dibranëve zgjati më pak se 2 muaj.

“Kur rrugët jepen pa garë tek klientët e Edi Ramës, kur kontratat dhe afatet nuk respektohen, korrupsioni është para syve tanë. Bie pak borë në Shqipëri dhe bllokohet gjithçka. Mbyllen shkollat, mbyllen dhe rrugët. Shteti i korrupsionit që ka ngritur Edi Rama del zbuluar thjesht nga një borë. Në 6 mars dibranët kanë mundësinë e madhe ta ndëshkojnë me votë këtë qeveri të keqe që i vjedh, i izolon dhe i varfëron”, tha ajo.

Çupi u shpreh se dibranëve u duhet një bashki për vete, jo për qeverinë.