Një grabitje ka ndodhur këtë të martë rreth orës 10:00 në qytetin e Peshkopisë. Mësohet se një person i maskuar ka hyrë brenda mabjenteve të një institucioni privat financiar i cili jep kredi të çastit dhe nën kërcënimin e një mjeti prerës, ka arritur të grabitë një shumë parash.
Grabitësi është larguar me shpejtësi në rrugicat e lagjes bashkë me shumën e parave.
Ngjarja ka ndodhur në bulevardin “Elez Isufi” në afërsi të degës së Postës Shqiptare Dibër.
Policia shkoi në vendin e ngjarjes pasi u njoftua nga punonjësit e filialit të institucionit financiar. Efektivët kanë hapur kamerat e sigurisë të subjektit për të parë se çfarë kishte ndodhur në momentin e grabitjes, ndërsa shuma financiare e marrë, nuk është bërë publike ende.
Po ashtu, uniformat blu kanë ngritur pika kontrolli në të gjitha rrugët nacionale të Qarkut Dibër, nën dyshimin se grabitësi mund të tentojë të largohet drejt qyteteve të tjera.