Akulli pushton bulevardin “Elez Isufi” në Peshkopi, ankohen qytetarët

0
10

Qytetarët e Peshkopisë po përballen me akullin e madh që është krijuar në bulevardin “Elez Isufi” pas ndaljes së reshjeve të dëborës. E gjithë shëtitorja është e mbuluar nga akulli, duke rrezikuar fëmijët dhe të moshuarit. Duke qenë se është e vemtja shëtitore në qytetin verilindor, qytetarët e shfrytëzojnë atë gjatë gjithë kohës. Por pushteti vendor nuk ka ndërhyrë për të hequr në kohë dëborën e rënë tre ditë më parë, duke bërë që bora të kthehet në akull. Për të moshuarit dhe fëmijët është rrezik i madh pasi mund të rrëshkasin dhe të pësojnë ndonjë frakturë. Qytetarët shprehen se Bashkia Dibër, duhet të ndërhynte që pa nisur ngricat, ose tani duhet ta heqë akullin jo duke pritur ta shkrijë moti. Sipas qytetarëve, për të mos dëmtuar as shtresën e bulevardit, largimi i akullit duhet bërë me lopatë.

  Për të gjithë qytetarët e Peshkopisë që përdorin bulevardin “Elez Isufi”, zgjidhja e vetme mbetet që të tregohen të kujdesshëm teksa shëtisin aty.