A po e dëmtojnë mjetet e tonazhit të rëndë rrugën Burrel – Klos?

0

Aksi rrugor Klos – Burrel ka nisur të dëmtohet. Në korsin që vjen në drejtim të Burrelit vihen re çedime apo kanale në asfalt.

Pothuajse në të gjithë gjatësinë e këtij aksi rrugor prej 18 kilometrash vihet re kjo dukuri ku në disa pika është më e dukshme, pasi ka devijim edhe të vijës së bardhë që tregon fundin e karrexhatës.

Shkak për këtë dyshohet se është bërë qarkullimi i mjeteve të tonazhit të rëndë jashtë kapacitetit të lejuar.

 Kjo sipas ekspertëve po bën që rruga të rikthehet si tre vite më parë, kur ishte kthyer në një gangrenë të madhe për mijëra banorë të qarkut. Burime pranë subjekteve minerare në Bulqizë bëjnë me dije se disa nga firmat i mbushin mjetet e tyre mbi kapacitetin e lejuar, ndërsa faturën e peshës të cilën e paraqesin pranë kontrolleve policore e kanë në masën që duhet të kenë për të qarkulluar në këtë aks rrugor.

Aksi rrugor Klos – Burrel u rikonstruktua i gjithi tre vite më parë me një fond prej 3.7 milion euro. Dëmtimi i tij në një kohë kaq të shkurtër, tashmë që është hapur rruga e Arbrit do të krijojë një tjetër problematikë për të gjithë matjanët që do të udhëtojnë drejt Tiranës.