Mijëra banorë të qytetit të Klosit mbetën pa ujë të pijshëm që prej pasdites së të Mërkurës. Shkak për këtë u bë dëmtimi i linjës kryesore të rrjetit të furnizmit me ujë në Klos.
Specialistët e ndërmarrjes së ujsjellës-kanalizmeve pranë Bashkisë Klos thanë se shkak është bërë presioni i lartë i ujit dhe amortizimi i rrjetit.
Tubacioni i linjës kryesore të ujësjellësit që merret nga fshati Shëngjun ka pësuar çarje të madhe, duke lënë abonentët 24 orë pa ujë të pijshëm.
Sakaq, për riparimin e defektit është punuar që prej pasdites së djeshme dhe specialistët kanë arritur ta rregullojnë duke rikthyer furnizmin me ujë për mijëra banorë të qytetit të Klosit.
Po ashtu Ujësjellës-kanalizime Klos njofton të gjithë abonetët që të vazhdojnë të përdorin ujin e rrjetit ku pas riparimit të defektit nuk ka asnjë problem tjetër dhe cilësia e ujit është si më parë.