Pas tre humbjeve radhazi, Klosi gjen fitoren ndaj Bulqizës

0

Këtë të shtunë në stadiumin “Liri Ballabani” të qytetit të Burrelit u zhvillua ndeshja mes Klosit dhe Bulqizës në javën e katërt të kampionatit të kategorisë së dytë në futboll. Klosjanët kanë gjetur fitoren e parë të këtij sezoni pas tri humbjeve radhazi. Ndeshja nisi si një derbi i qarkut ku të dyja skuadrat u hodhën në sulm që në minutat e para. Megjithatë, asnjëri nga ekipet nuk rrezikoi më shumë se njëherë portën kundërshtare në pjesën e parë. Janë miqtë që mund të kishin kaluar në avantazh me Kullollin në minutën e 34, teksa topi ndalet nga shtylla e majtë e portierit Elezaj. Ndërkohë, Klosi pati mundësinë e artë në minutën e fundit të pjesës së parë. Allamani ishte i vetëm me portierin Mema, por nuk arrin të godasë në shenjë. Skuadrat shkuan në dhomat e zhveshjes me porta të paprekura.

Edhe pjesa e dytë nisi me të njëjtin ritëm, ndërsa aksionet deri tek porta ishin të pakta. Trajnerët respektiv menduan të përforcojnë lojën duke bërë disa ndryshime. Në minutën e 60 bulqizakët mbeten me 10 lojtarë në fushë pas daljes me të kuqe të Sildi Likës. Ky i fundit bëri një ndërhyrje të gabuar dhe pas saj protestoi ndaj vendimit të gjyqtarit që akordoi karton të verdhë. Edhe për protestën, kryesori Geni vendosi ndëshkim duke i dhënë dy karton të verdhë njëri pas tjetrit e më pas kartonin e kuq. Edhe në këtë pjesë nuk munguan rastet, por pa arritur të finalizoheshin. Në minutën e 68 Allamani pengohet në zonën e portës bulqizake dhe gjyqtari i takimit Rebani Geni vendos për penallti, ekzekutimi is ë cilës bëhet nga vetë Allamani. Ky i fundit nuk gabon dhe i jep tri pikët e para skuadrës së Klosit. Minutat e mbetura të takimit nuk ndryshuan asgjë. Me tri pikët e marra, Klosi i largohet vendit të fundit të klasifikimit të përgjithshëm të grupit A të kategorisë së dytë.