
Dita e parë e shkollës në fshatin Suç të Bashkisë së Klosit nuk ka nisur si kudo në vendin tonë. Nxënës e prindër të disa fshatrave kanë protestuar para godinës së shkollës së mesme të Bashkuar “Haxhi Lata”. Shkak është bërë moshapja e kësaj godine prej më shumë se një viti e gjysmë, mbyllja e së cilës është bërë me argumentimin se është dëmtuar nga tërmeti i 26 Nëntorit të vitit 2019. Prindër e banorë të Njësisë Administrative Suç thanë se është qesharake që autoritetet vijojnë të tallen me ta dhe nuk kanë kanë bërë asgjë që mësimi pas 2 vitesh ti rifillonte në këtë godinë. Ata u shprehën se do të vijojnë bojkotin e tyre deri sa të kenë një zgjidhje definitive.
Edhe vetë fëmijët e shohin të pamundur që të mësojnë në godina të tjera ku kanë mësuar vitin e kaluar. Ata shprehen se objektet ku ishin vendosur një vit më parë janë të papërshtatshme dhe shumë larg banesave të tyre.
Në Qershor të vitit 2020 ekspertët e Institutit të Ndërtimit në Tiranë kanë vendosur që kjo shkollë t’i nënshtrohej një rikonstruksioni, por edhe pse kanë kaluar më shumë se një vit e gjysmë, ende nuk është bërë asgjë.
Prefekti i Qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu tha se institucionet vendore e ato qëndrore po merren për zgjidhjen e këtij problemi, ndërsa ju bëri apel prindërve mos të pengojnë arsimimin e fëmijëve pasi është shkelje e ligjit.