
Komiteti Teknik i Ekspertëve u mblodh ditën e sotme për të bërë një përshkrim të situatës së COVID-19 në vendin tonë.
Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli gjatë fjalës së saj është shprehur se numri i infektimeve me COVID-19 është shtuar në krahasim me javën e kaluar ku mesatarja e infektimeve ditore është dyfishuar.
Rakacolli është shprehur se situata është nën kontroll dhe ka ftuar edhe një herë të gjithë qytetarët që të vaksinohen. Sipas saj rastet e reja në rritje janë si shkak i qarkullimit të variantit Delta të COVID-19, por ajo ka shtuar se nëse zbatohen masat e parandalimit dhe vazhdon procesi i vaksinimit situata do të mbahet nën kontroll.
Ditën e sotme Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur që në fuqi të mbeten këto Masa:
-Maska mbrojtëse do të jetë e detyruar në të gjitha ambientet e mbyllura si qendra tregtare, supermarkete, aeroport dhe mjetet e transportit publik.
-Ora policore do të jetë e pandryshuar duke filluar që në mesnatë dhe deri në orën 06:00 në mëngjes.
-Muzika do të lejohet deri në orën 23:00.
-Gjithashtu të lejuara do të jenë aktivitete sportive, teatrot, shfaqjet artistike, me kapacitete deri në 30% të publikut.