
Ekipi i futbollit “Burreli” ka vendosur përfundimisht që të nisë punën për testimin e lojtarëve të cilët kanë shprehur dëshirën për të qenë pjesë e kësaj skuadre në sezonin e ardhshëm. Ashtu siç është thënë gjatë prezantimit të stafit teknik pak javë më parë, skuadra do të grumbullohet me datë 16 Korrik. Lojtarët që kanë qenë pjesë më parë e Burrelit dhe që kanë marrë rikonfirmimin për sezonin e ardhshëm, lojtarët e afruar këtë merkato siç ishte mbrojtësi i majtë David Gjinollari.
Drejtues të klubit thanë se është caktuar data 16 Korrik në orën 17:00 të bëhet grumbullimi në kompleksin sportiv në “Arbanë” të Tiranës.
Grumbullimi në Tiranë bëhet për shkak se aneksi i stërvitjes pranë stadiumit “Liri Ballabani” të qytetit të Burrelit, po i nënshtrohet një rikonstruksioni total.
Drejtues të Klubit dhe stafit teknik ftojnë çdo futbollist që dëshiron të bëhet pjesë e Burrelit për sezonin 2021 – 2022 të bëhet pjesë e stërvitjes në Tiranë. Në një periudhë dy javore do të bëhet përzgjedhja e lojtarëve që do të firmosin kontratën me Burrelin e ndërsa në fillim të muajit Gusht, skuadra do të nisë përgatitjet, pasi të ketë mbyllur merkaton e kësaj vere.