
Aksi rrugor Ura e Çerenecit – Maqellarë pjesë e rrugës së Abrit është mbyllur në të dy anët hyrëse të saj nga firma nënkontraktore që e ka ndërtuar atë. Megjithëse janë hedhur grumbuj zhavorri në të dy anët e kësaj rruge, kanë qenë banorë të zonës dhe drejtuesit e mjeteve të cilët i kanë hapur, duke mundësuar hyrjen dhe qarkullimin në të. Ky aks rrugor shkurton një distancë të madhe mes Bulqizës dhe Peshkopisë pasi automjetet duhet të lëviznin nga Shupenza – Ura e Topojanit për të dalë në Maqellarë. Edhe pse e kanë përdorur këtë rrugë, drejtuesit e mjeteve janë të ndërgjegjshëm se ende nuk ka siguri kalimi në të, pasi mungon sinjalistika dhe mbrojtëset anësore.
Të kontaktuar nga ana jonë përfaqësues të firmës thanë se arsyeja e bllokimit të këtij segmenti është për sigurinë e drejtuesve të mjeteve, pasi nuk është kolauduar dhe punimet në të nuk janë mbyllur akoma.