
310 maturant e kandidat nga Bashkia e Matit dhe 166 maturant e kandidat nga Bashkia Klos, u testuan këtë të enjte në provimin e parë të maturës shtetërore në lëndën e gjuhës së huaj.
Për të respektuar masat anticovid, në Bashkinë e Matit provimi i maturantëve është zhvilluar në çdo gjimnaz, duke i ndarë në klasa nga 10 deri në 15 nxënës maksimumi, ndërsa në Klos të gjithë maturantët u testuan në godinën e gjimnazit “Shaban Çollaku”.
Maturantët u paraqitën pranë godinave ku do të jepnin provimin që në orën 8 e 30 minuta ndërsa rreth orës 9:00 nisi procesi i futjes në sallat e përcaktuara. Para se të hynin maturantëve ju bënë edhe njëherë të ditura rregullat strikte që nga mosmbajtja e aparateve celulare, kopje apo sende të tjera që i penalizojnë.
Hyrja në sallat e provimit u shoqërua me kontrollin fizik të maturantëve, dezinfektimin e duarve, mbajtjen e maskës anticovid etj.
Nën mbikqyrjen e administratorëve procesi i privimit të parë të maturës shtetërore në lëndën e gjuhës së huaj nisi në orën 10:00 dhe zgjati 2 orë e 30 minuta.
I gjithë procesi u monitorua në distancë nga policia e shtetit, ndërkohë që nuk ka patur asnjë problem gjatë këtij provimi i cili është mbyllur sipas rregullave të vendosura nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë.