
Dy vite më parë, pikërisht në Maj të vitit 2019, familja Dika nga fshati Shoshaj i Epërm apeloi për ndihmë nëpërmjet ekranit të Mat Televizion. Kryefamiljari Flamur Dika i cili vuan nga një sëmundje shumë e rrallë e ka të pamundur të bëjë punë fizike. Në këto kushte, sigurimi i të ardhurave për dy vajzat dhe bashkëshorten ishte thuajse i pamundur.
Por në këtë moment, gazetari i mirënjohur sportiv Defrim Met’hasani, sapo është njohur me rastin nëpërmjet kronikës së Mat Tv, ka marrë iniciativën për ta ndihmuar. Pos ndihmave periodike, këtë të shtunë u finalizua më kryesorja. Tashmë familja e Flamurit do të jetojë në qytetin e Burrelit, falë ndihmë së dhënë nga biznesmeni Klajdi Hoxha. Gazetari Met’hasani tha se rasti i familjes Dika i ka prekur të gjithë, ndaj dhe të gjithë u bënë bashkë për ta ndihmuar.
Vetë sipërmarrësi Klajdi Hoxha tha se është kënaqësi që me ndihmën e dhënë ka bërë të lumtur këtë familje dhe se ndihma ndaj saj do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Lumturinë e tij dhe të familjes, nuk e fsheh dot kryefamiljari Flamuri.
Tashmë familja Dika do të jetë më afër shërbimit shëndetësor dhe vajza e vogël, do të mund të studiojë në Burrel si dhe të ndjekë kurset që ka ëndërruar.