Godinat e kopshteve numër 1 dhe numër 2 në qytetin e Burrelit po i nënshtrohen një rikonstruksioni të plotë. Puna fillimisht ka nisur në kopshtin numër një ku përfshihen rikonstruksionin e objektit brenda dhe jashtë, termoizolimin e tarracës, vendosje të sistemit të kaldajës, shtresë parketi, instalime të reja elektrike etj.
Për të mos penguar procesin edukativ në të dy kopshtet njëherësh, puna aktualisht është përqendruar në godinën e kopshtit numër 1. Fëmijët që ishin pjesë e këtij kopshti janë zhvendosur në godinën tjetër, e pas përfundimit të të gjithë rikontruksionit, do të rikthehen në mjedise me standarte bashkëkohore.
Të njëjtit rikonstruksion do t’i nënshtrohet më pas godina e kopshtit numër dy. Projekti i Bashkisë Mat për rikonstruksionin e këtyre dy godinave të kopshteve është financuar nga Program ii Bashkëpunimit Italiano – shqiptar i Zhvillimit, IADSA, me një vlerë prej rreth 34.1 milion lekë të rinj. Afati i përfundimit të punimeve për këto dy objekte është gjashtë muaj.