
Milani fiton në derbi në kampionat pas më shumë se 4 viteve. Kuqeiznjtë kanë mposhtur Interin ditën e sotme, me rezultatin 2-1. Zlatan Ibrahimoviç ishte padyshim protagonisti kryesor, teksa me dopietën e tij në minutat 13’ me penallti dhe 16’, i dha fitoren të besuarve të Piolit.

Pjesa e parë ishte me të vërtetë spektakolare, teksa u shënuan të 3 golat e ndeshjes, me Lukakun që realizoi në minutën e 29’ për Interin.
Pjesa e dytë foli thuajse e gjitha për Interin, që dominoi gjatë gjithë kohës, duke kërkuar me ngulm golin, por pa sukses, ndonëse iu afrua disa herë me Lukakun.
Zikaltërit fituan penallti në minutën e 76’, kur Donaruma ndërhyn ndaj Lukakut dhe arbitri akordon penallti. Megjithatë pas konsultimit me VAR, ndryshohet vendimi pasi sulmuesi zikaltër ishte në pozicion jashtë loje më parë.

Edhe pas kësaj Interi kishte raste, por pa sukses. Festa në fund ishte për “Djallin”, që rikthehen të fitorja në kampionat ndaj Interi pas më shumë se 4 viteve.
Milani vazhdon në krye të tabelës, teksa pas 4 javëve të para, kanë marrë maksimumin e pikëve, ndërsa Interi renditet i gjashti me 7 pikë.