Firmosen me BERZH marrëveshjet për turizmin dhe trashëgiminë, Rama: Hap i rëndësishëm drejt anëtarësimit në BE 

0

Gjatë një komunikimi të realizuar online janë firmosur sot me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dy marrëveshjet e investimeve për turizmin e trashëgiminë në Shkodër, Berat, Fier dhe Gjirokastër.

Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij falënderoi BE për angazhimin, teksa e cilësoi këtë memorandum një hap të rëndësishëm në procesin e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian.

“Mendoj se është një hap i rëndësishëm ky memorandum që po nënshkruajmë sot, që njeh plotësisht objektivat tona të integrimit në BE, duke ndihmuar Shqipërinë të ecë përpara.

Tashmë besoj se mund të jemi mjaft të frymëzuar nga ajo çka po ndodh në frontin e BE që ka dalë me një paketë investimesh për të gjithë rajonin. Por ne e dimë që për të qenë efektiv në përthithjen e këtyre parave na duhet më shumë ekspertizë. Shpresoj që banka juaj, që është plot me para dhe ekspertizë, do vijojë të na ndihmojë në këtë drejtim.

Nuk ka dyshim që BERZH do të luajë rol parësor në këtë ecuri të mëtejshme të Shqipërisë në BE dhe nënshkrimi i marrëveshjeve është mjaft i mirëpritur”, tha kreu i qeverisë shqiptare…

Ambasadori i Bashkimit Europian në vendin tonë Luigi Soreca tha se marrëveshja vjen në kuadër të planit të investimeve që BE ka për rajonin çka sipas tij në disa vite do ia ndryshojë peizazhin Ballkanit.

Kjo marrëveshje z. Soreca, i jep dritën jeshile fondit prej 40 mln euro, grant i BE për zhvillimin ekonomik dhe turizmin.

“Përgëzojmë qeverinë shqiptare dhe presidentin e BERZH për këtë marrëveshje që çkyç një grant 40 mln euro të dhënë nga BE për programin e zhvillimin ekonomik dhe turizmin.

Ky program ka potencialin për të mbështetur një prej sektorëve që u prekën më shumë nga pandemia dhe është thelbësore që veprimtaria e programit të përshpejtohet dhe të kompensojë vonesën 2 vjeçare në sektor”, tha ambasadori i BE në vendin tonë.