Skuraj – Burrel, një rrugë totalisht e braktisur

0
17

Autoriteti Rrugor Shqiptar jo vetëm që nuk e ka në mend të investojë në përmiësimin e gjendjes së rrugës kombëtare Burrel – Skuraj, por madje e tenderon këtë aks vetëm për sigurinë rrugore. Në muajin Korrik është bërë njoftim nga ARRSH për hapjen e tenderit me numër reference REF-65955-07-20-2020, me një fond limit prej 208.3 milion lekëve të rinj. Në këtë vlerë me rreth 2 miliard lekë të vjetra janë përfshirë disa akse rrugore mes të cilëve edhe ai Skuraj – Burrel me një gjatësi prej 36 kilometrash. Tenderi tashmë është mbyllur dhe është shpallur kompania fituese “Jubica” sh.p.k. Deri këtu nuk ka asgjë të keq pos procedurës së tenderimit që ka dyshimet e saj, përmirësimi i sigurisë në këtë aks rrugor do të ishte gjë shumë e mirë, pasi prej vitesh në të mungojnë barrierat metalike anësore, tabelat vertikale orjentuese, apo sinjalistika horizontale.
Por qytetarët e Qarkut Dibër të cilët e përdorin këtë aks rrugor, kanë më shumë nevojë për momentin që ajo të rehabilitohet nga ana infrastrukturore dhe jo sinjalistikës. Rruga është në gjendje të mjerueshme e sidomos aksi nga Skurajt në Burrel. në të gjithë gjatësinë e tij ka çedime të karrexhatës që janë kthyer në burim të rrezikshëm aksidentesh. Por jo vetëm kaq, aksi ka problematika të mëdha edhe në hapjen e gropave, që megjithëse ndonjëherë bëhet sikur mbushen, ato rikthehen brenda një kohe të shkurtër.
Në rrugën nacionale Skuraj – Burrel – Peshkopi kalojnë rreth 240 mijë banorë të qarkut Dibër, por edhe qytetar nga Maqedonia e Veriut e vende të tjera.