Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi deklaroi sërish se partia e saj do të marrë një rezultat surprizë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Kryemadhi tha se e bazonte optimizmin e saj tek zhgënjimi i socialistëve, duke theksuar se LSI d0 të marrë më shumë se 40 mandate.
“Beteja e 25 prillit ka marrë fund. Sot Rama ka opozitë socialistët e vet, minimumi do të dyfishojmë rezultatin. Me ndryshimet e mëparshme të 5 qershorit, LSI e fillonte dyshemenë e saj me 34 mandate, ndërsa sot e fillon dyshemenë me 40 mandate. Do të jetë rezultat surprizë për shumë të tjerë, jo vetëm për Ilir Metën. 30% e administratës e votoi kundër në zgjedhjet lokale. Veprimet e njëanshme të Edi Ramës minimum do të dyfishojnë rezultatin e LSI-së, e them minimumi”, theksoi kryetarja e LSI-së në Euronews.
Ndërsa lidhur me miratimin e Kodit të ri Zgjedhor në Parlament, kryetarja e LSI-së tha se, nuk ka makinacion që ia heq fitoren opozitës.
“Edhe Taulant Balla t’i numërojë votat e opozitës nuk ka strukturë apo metodologji që të nxjerrë fitues Edi Ramën. E pamë lakuriq Edi Ramën. Deri tani e kishim parë biologjikisht, tani po e shohim politikisht. Rama shpreson të dëgjojë nga opozitës se nuk do të hyjë në zgjedhje”, tha znj. Kryemadhi.